Fshatra Turistike - Bashkia Korce

Zbulo Dardhën

Pozita gjeografike

Dardha ndodhet në juglindje të Korçës (20 km). Ai është një fshat malor i vendosur në një gropë ndërmjet kodrave të Shën Pjetrit, shkëmbit të vjeshtës dhe disa kodrave të tjera. Ky atraksion turistik ofron një klimë ideale, ajër të pastër të pasur me oksigjen gjë që e ben të preferuar gjatë gjithë vitit. Rreshjet e shumta të dëbores dhe pistat natyrore të krijuara janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore, veçanërisht atë të skive. Nuk mund të lëmë pa përmendur “Ujin e qelbur” të Dardhës, burim me vlera kurative për stomakun dhe veshkat.

Historiku

Dardha e ka marrë emrin nga shprehja “nën dardhë” dhe është krijuar rreth viteve 1600. Në vitin 1768 u çel shkolla e parë duke sjellë dhe civilizimin e saj. Kulmin e zhvillimit e arrin në vitet 1913-1936 kur numëroheshin rreth 500 shtëpi. Që nga viti 1800 Dardha është përmendur për punimin e drurit, shajakut, kostumeve te bukura. Fshati është njohur për sëpatën e tyre si “Sëpata e dardharit”. Dardha ka patur tre kisha si atë të Shën Thanasit, Shën Gjergjit dhe Shën Pjetrit. Tashmë zhvillimi i Dardhës varet nga turizmi.

Zakone dhe tradita

Dardha dallohet për tradita të hershme dhe kostumet karakeristike, për punimin e drurit.

Festat tradicionale

Festat më tradicionale të Dardhës janë ajo e Shën Marisë, dhe ajo e Shën Pjetrit, ku marrin pjesë vizitorë nga gjithë bota. Festa e Shën Marisë festohet në 16 gusht. Festa e Shën Pjetrit organizohet cdo vit në pyllin e bukur dhe kishën me të njëjtin emër të ndërtuar mbi një shkëmb. Gjatë ceremonive luhet vallja tradicionale dardhare, interpretuar me kostumin karakteristik me ngjyrat kuq e zi dhe brez argjendi.

Gatime karakteristike

Dardha njihet për konservimin e ushqimeve si turshitë dhe pastërmaja si specialitet i vendit. Gjithashtu fshati është shumë i njohur për lakrorin e famshëm të pjekur në saç dhe rakinë e kumbullës së egër të zier dy here, e cila ka një shije krejt të veçantë.  Në Dardhë ushqimet janë bio, të freskëta dhe të prodhuara nga vetë banorët.

Atraksionet

Dardha është e ndërtuar me shtëpi karakteristike përdhese të mbuluar me plloça të hirta. Krahas tyre atje gjenden dhe ndërtesa të reja dhe hotele bashkëkohore. Karakteristikë tjetër janë rrugët e shtruara me kalldrëm. Në Dardhë është ngritur dhe funksionon muzeu, që ekspozon historikun dhe trashëgiminë e fshatit. Gjithashtu  atraksioni turistik preferohet edhe për veçoritë e tij natyrore. Rreshjet e dëborës dhe pistat natyrore janë mjaft të përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore, sidomos të skiive. Uji i Dardhës është përdorur që herët për vlerat e tij kurative dhe mjafton të përmendim këtu atë që njihet si Uji i  Qelbur. Ky burim quhet kështu për shkak të aromës dhe shijes së rëndë si pasojë e përmbajtjes së lartë të squfurit. Uji i Qelbur dhe burime të tjera njihen për vetitë kurative ndaj anemisë, stomakut, mëlçisë së zezë, veshkave e shumë të tjera. Monument i rrallë i natyrës është dhe Bredhi i Vishnjës , 120 vjeçar.

Çfarë mund të bësh në Dardhë?

- Vizito kishat e Dardhës

- Eksploro shtigjet natyrore 

- Shëtit në fshat

- Mos harro të vizitosh "Ujin e Qelbur"

- Mos u largo pa shijuar ushqimet bio tradicionale të zonës dhe rakinë e kumbullës

- Ski në stinën e dimrit 

- Ngjitje në mal 

Zbulo Boboshticën

Pozita gjeografike

Boboshtica është një destinacion i rëndësishëm turistik i Korçës, me një pozicion kodrinor-malor. Dallohet për një natyrë të mrekullueshme me ajër dhe ujëra të pastra, bimësi të larmishme me shkurre, drurë shumëshekullore frutorë, dushk dhe halorë, si edhe shumë bimë medicinal. Terreni i pasur të jep mundësinë e një sërë aktivitetesh rekreative dhe sportive si ecje sportive, vrap, çiklizëm, alpinizëm, ski, hedhje me parashute, etj.

Historiku

Shtëpitë e vogla prej guri me arkitekturë të veçantë, kishat, urat, çezmat, rrugët me kalldrëm, sheshet ofrojnë mundësi të shkëlqyera të turizmit kulturor dhe historik.

Zakone e tradita

Dy janë elementët që e bëjnë këtë fshat të veçantë nga të tjerët. Gjuha që flasin ende banorët e vjetër dhe manat shekullorë, nga të cilat prodhohet edhe rakia e famshme e manit me ngjyrë të verdhë në të gjelbër. Në Boboshticë kanë mbetur ende shtëpi të vjetra, ku thurren qilima sipas mënyrës tradicionale me tezgjah.

Festat tradicionale

Festat më të mëdha të Boboshticës  janë festa e Shën Marisë në 15 Gusht dhe “Rosicat”, një festë tradicionale me pjesëmarrje masive te grave boboshtare të veshura me kostume tradicionale.

Gatime karakteristike 

Boboshtica është e pasur edhe me shumë taverna ku serviren ushqime tradicionale si lakror në saç, petulla të fshira, petanik, lloje të ndryshme mishi, etj.

Atraksione

Vizitorët mund të vizitojnë monumentet kulturore si muzeun, kishat 1000- vjeçare, Manastirin e Shën Marisë, etj Në të dalë të fshatit mbi një kodër, në krahun lindor jo edhe aq të lartë ndodhet manastiri i Shën Kollit. Në drejtim të veriperëndimit, ndodhet kisha e vjetër e Shën Gjonit, e ndërtuar në shekullin e XII-të dhe e rindërtuar në shekullin e XV-të. Edhe më afër manave ndodhet kisha e Shën Dhimitrit, e cila i përket shekullit të XVII-të. 

Zbulo Vithkuqin

Pozita gjeografike

Vithkuqi ndodhet në jugperëndim të qytetit të Korçës (26 km). Klima malore e këtij atraksioni turistik, e ftohtë në dimër dhe e freskët në verë, është një klimë mjaft e shëndetshme. Popullsia përbëhet nga 965 banorë dhe 230 familje. Sipërfaqja e zonës është 195 km2 kuse lartësia mesatare 1230m. Pika më e lartë është Rrungaja 1750m. Relievi është i përthyer dhe i shumëllojshëm. Vithkuqi rrethohet nga male dhe kodra tërësisht të veshura me drurë dhe shkurre. Këtu e ka burimin lumi Osum, i cili përshkon gjithë relievin dhe formon një basen që përmbledh të gjitha ujërat e burimeve të shumta në këtë vend. Pranë fshatit ndodhet liqeni artificial i Gjançit, ku ka lloje të ndryshme peshqish. Vend të veçantë zenë kafshët e egra, si: ariu, ujku, dhelpra, drenusha, lepuri, macja e egër, etj; shpendët e egra dhe pyjet me ah, lis, pishë, etj. Në pyjet e zonës rriten shumë bimë medicinale si: dëllinja, trëndafili i egër, çaji i malit, lule bliri, zhumblica, mëllaga, lule basani, lule shtogu etj. Aty ka edhe një shkollë të mesme të përgjithshme, e cila mban emrin e vithkuqarit të shquar Naum Veqilharxhi.

Historiku

Vithkuqi është një vendbanim i lashtë ilir. Ndonëse pak i eksploruar ai daton si qendër e banuar nga periudha e parë e hekurit deri në shek II-të p.e.s. Dëshmi për këtë janë kalatë që janë vendosur për të ruajtur trevën, si ajo e Boshanjit, Bellovodës dhe e Leshnjës, si dhe tumat në lagjet e vjetra të Vithkuqit: Qyran dhe Qyrshas. Në dokumenta ai përmendet si vendbanim në Principatën e Muzakajve, qysh në shek XV, por dokumenti më i rëndësishëm është që Vithkuqi ka qënë vendbanim qysh në shek XII-të, sepse në këtë kohë është ndërtuar dhe e para kishë në Vithkuq, ajo e Shën Thanasit, e cila daton në 1162-shin. Në regjimin osman Vithkuqi është regjistruar si pronësi myrk dhe më vonë vakëf i Mirahor Iljaz Beut (1484-1504).

Regjistrimi i parë kadastral i 1568-1570 jep të dhëna se Vithkuqi ka pasur popullsinë më të dendur dhe janë të regjistruara 343 familje të krishtera.  Në shek XVII-XVIII njihet si qytet i zhvilluar dhe në kulmin e lulëzimit të tij ka patur 24 lagje me një popullsi që luhatet nga 12000-15000 banorë. Përveç kishës së parë (Kisha e Shën Thanasit) aty ndodhen edhe 17 kisha të tjera, 3 manastire dhe një qendër Mitropolie. Ka ekzistuar një shkollë, sipas të dhënave, e barazvlefshme me atë të Voskopojës. Në vitet 1781-1819-1823 qyteti i Vithkuqit pësoi tre prishje të mëdha, të cilat e katandisën atë në një fshat të vogël me vetëm 13 familje. Rreth 1856-ës Vithkuqi e mori veten dhe u shfaq si një fshat me 150 shtëpi dhe me tre lagjet e sotme. Popullsia e Vithkuqit migroi e gjitha Brenda dhe jashtë vendit, duke formuar dhe fshatra të shumtë me popullsi krejt vithkuqare (Mandrica në Bullgari, Lehova në Greqi, etj).

Zakone dhe tradita

Vithkuqarët janë njerëz të dashur, të sjellshëm, me kulturë të trashëguar, por edhe të importuar nga Evropa, sidomos nga Amerika. Në familjet vithkuqare jetohet shumë mirë, sepse ambienti familjar është i ngrohtë, i pastër, i rregulluar bukur dhe gatuhet shumë mirë. Veshja karakteristike e burrave dhe e grave ka qenë shumë e bukur. Gratë vithkuqare punojnë shumë bukur e me finesë leshin, i cili përveç veshjeve shërben për të bërë qilima, levenca etj. Mikpritja, bujaria dhe ngrohtësia janë atmosfera që krijojnë vithkuqarët për mysafirët.

Festat tradicionale

Në Vithkuq organizohen shumë bukur festat familjare dhe ato tradicionale që kanë më shumë karakter fetar, si p.sh.: Panairi i Shën Pjetrit më 29 qershor dhe Shën Nikodhimi, që është dhe festa e shoqatës “Vëllazëria Vithkuqare” më 10 korrik.

Gatime karakteristike

Është kënaqësi të kesh në tavolinë mishin e pjekur të Vithkuqit dhe bulmetin, që kanë shije të veçantë dhe që shkojnë shumë mirë të shoqëruara me pijen karakteristike vendase, rakinë e kumbullës. Në këto raste është shumë mirë të dëgjosh këngën popullore vithkuqare që është ruajtur pavarësisht ndikimeve të huaja, ose të shikosh djemtë dhe vajzat e Vithkuqit duke kërcyer vallen e Dados, e cila kërcehet vetëm në Vithkuq. Të gjithë kemi provuar ose kemi dëgjuar të thërritet në Pazar: “Arra, çaj Vithkuqi”, që janë me nam në të gjithë trevën e Korçës.

Monumentet kulturore-historike të Vithkuqit

Monumentet kryesore të fshatit janë kishat. Kisha e parë u ndërtua në Vithkuq në 1162-shin. Bëhet fjalë për atë të Shën Thanasit. Pas kësaj u ndërtuan edhe shumë kisha të tjera (18 kisha). Të gjitha kanë vlerat e tyre, por më madhështoret janë: Manastiri i Shën Pjetrit, Manastiri i Shën Kollit, i Shën Minait dhe Mitropolia e Shën Millit. Nga këto kisha janë sot të mirëmbajtura ose të ringritura që nga themelet 8 kisha: Shën Pjetri, Kozma Damianov ose Qimitiri, Shën Kostandini, Vangjelizmoi, Shën Milli, Shën Gjergji, Shën Dëllia, Shën Mëria. E ngritur si kishë e re është dhe Shën Nikodhimi. Një rëndësi të veçantë si vepër monumentale, historike dhe fetare paraqet kisha e Shën Pjetrit, e cila u ndërtua në shek. XVIII, rreth 1764-1773. Ajo përbëhet nga afreske të mrekullueshme me rreth 2000 piktura, e punuar e gjitha me kontributin e vetë vithkuqarëve dhe e ndërtuar nga mjeshtërit vithkuqarë që kishin punuar në Venecia, si: Dhima Dukasi, Hari Venetiku, Dine Krekasi, Vaso Sumbulla, Kule Deti, etj. Projektuesi i kishës ishte vithkuqari Than Lena bashkë me të birin e tij Gjikë Lena. Duhet përmendur që në këtë manastir ka ekzistuar një bibliotekë e famshme në të cilën ruheshin libra që ishin shtypur në Shtypshkronjën e Voskopojës, midis tyre dhe “Traktati logjik i Kavaliotit”. Në krah të Shën Pjetrit është një kishë e një natyre të veçantë, ajo e Kozma Damianoit, në të cilën ruheshin eshtrat e të vdekurve. Po ashtu, për t’u përmendur është kisha e Shën Millit të Vithkuqit që përveç bukurisë të rrallë, ruan në brendësi thesare të afreskut pikturuar nga Zografët dhe Shpatarakët, të cilët kanë pikturuar dhe shumicën e kishave. Monumente të rëndësishme në Vithkuq janë edhe urat, të cilat ishin me shumicë në të gjitha rrugët e Vithkuqit, por më të veçantat janë: Ura e Liasit (e lagjes Lias) dhe ajo në hyrje të Vithkuqit., Ura e Zotos. Në Vithkuq ka shumë çezma, disa prej të cilave të ndërtuara me një mjeshtëri të rallë, si p.sh.: ajo e Nasto Kroit, e Miçuçit, e Kurtiqit, e Arrës së Thatë etj. Vithkuqi përmendet dhe për monumente natyrore si: Bliri i Shën Pjetrit dhe Plepi i Shën Millit. 

Çfarë mund të bësh në Vithkuq?

- Vizito kishat e Vithkuqit 

- Eksploro shtigjet natyrore 

- Shëtit në fshat 

- Mos u largo pa shijuar ushqimet bio tradicionale të zonës dhe rakinë

- Ngjitje në mal 

 

Zbulo Voskopojën

   Pozita gjeografike

Voskopoja ndodhet midis Gorës dhe Oparit (20km). Fshati është i rrethuar nga kodra të larta dhe nga pyje me fiere. Klima në këtë fshat është me verë të freskët dhe dimër të ftohtë e me reshje dëbore gjatë pjesës më të madhe të kësaj stine. Këtu ndodhen edhe disa pista natyrale për ski. Ky fshat njihet për ajrin e pastër dhe forcën kuruese të sëmundjeve të frymëmarrjes. Ky fshat mund të quhet një perlë e peizazhit shqiptar. Historia e Voskopojës fillon të shkruhet në shekullin e XIV(14), por ky fshat nuk kishte fituar famë deri në shekullin e XVII(17) kur progresi në kulturë e edukim u bë i njohur. Voskopoja ka pasur 24 kisha me afreske nga më të bukurat sot ekzistojnë, mbijetojnë vetëm 7 prej tyre.

Historiku

Voskopoja, dikur një qëndër e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe artit, plot prosperitet, njohu ritmin e tregëtisë së kohës me qendra të tjera të rëndësishme të Shqipërisë, Ballkanit dhe më tej. Tregëtia me perëndimin dhe lindjen, si një udhëkryq ku takoheshin kulturat e kohës, i dha zhvillim të gjithanshëm qytetit.

Themelimi i saj mendohet të jetë rreth vitit 1330, nga një komunitet vllah, duke u banuar edhe nga shqiptarë, ndërsa Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në një kodër, ishte kisha më e vjetër (sot e rindërtuar mbi rrënojat e kishës së djegur), rreth së cilës u ndërtuan edhe shtëpitë e para.Arkitektura e kishave, mjeshtrat e ikonave dhe afreskeve si David Selenica,vëllezërit Zografi nga Korça, Konstandin Ieromonaku, mjeshtër për ikonostaset është ende kjo pasuri, që i ka rezistuar kohës, luftrave, dëmtimit nga dora e njeriut, si dëshmimtare unike e atij qytetërimi, janë ato të cilat tregojnë vlerat e saj të papërsëritshme.

Voskopoja tregoi interes të veçantë për zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe artit bizantin të kohës. Duke patur një status të veçantë për kohën nën Perandorinë Otomane, voskopojarët mundën të ndërtonin dhe të zhvillonin strukturat jetike për një qytet. Prandaj ndërtimi i kishave të stilit bizantin, të vizitueshme edhe sot për afresket origjinale, për arkitekturën e tyre dhe harqet apo kupolat e pikturuara (24 kisha gjithsej dhe manastiri i Shën-Prodhromit), ende mahnisin vizitorët e shumtë. Themelimi i “Akademisë së Re”-shkolla, që edukoi mijëra studentë dhe i strehoi në konviktin e saj, shtypshkronja e parë në rajon, pas asaj të Kostandinopojës si një gur themeli për qytetin, që nxori në dritë botime të shumta, duke ndihmuar zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe artit, bibliotekë të pasur me libra filozofësh, dijetarësh të mëdhenj evropianë, me jetimore, shtëpi karakteristike me gurë, ura, rrugë me kalldrëme, etj.

Duke qenë një qendër e rëndësishme kulturore në rajon, gjuhët e folura në Voskopojë janë disa, si arumanishtja, shqipja dhe greqishtja, kjo e fundit si gjuha e kulturës së kohës.

Zakone dhe tradita

Voskopoja në vite u zhvillua dhe vazhdoi të ruajë zakonet, historinë dhe traditat e krijuara prej kohësh. Njëzetë e katër kishat e saj u kthyen në qëndra të rëndësishme edukimi liturgjik, të ruajtjes dhe përhapjes së gjuhës Shqipe, të ruajtjes së trashgimisë kulturore, të dokeve dhe zakoneve.

Voskopoja dallohet për përgatitjen e punimeve të dorës bazuar në mjeshtërinë lokale dhe burimet natyrore, veçanërisht për  punimin e drurit, thurrjen e veshjeve te leshta e shumë punime të tjera me vlerë.

Me bibliotekë, me Akademi,me trotuare me kalldrëm,me shumë piktorë të shquar të kohës si David Selenica, Kavalioti, Grigori etj., me traditë të pasur popullore e me zejtari, Voskopoja, tashmë është një kryeqëndër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore.

Festat tradicionale

Sezoni turistik në Voskopojë hapet me festën dhe panairin që organizohet në datën 24 Qershor të çdo viti në Manastirin e Shën Prodhromit, në Voskopojë. Evente të tjera festive janë edhe Dita e Verës, Krishtlindja, etj.   

Gatime tradicionale

Sezoni i verës në Voskopojë është gjithmonë e më atraktiv për turistët e shumtë. Mjafton të dalësh shëtitje mëngjeseve apo mbrëmjeve, për të thithur ajrin e freskët, për të shijuar ujin e burimeve apo çezmave të shumta nëpër fshat, për të bërë kamping apo ekskursione. Larg zhurmës, larg vapës, pluhurit apo angazhimeve në punë, në Voskopojë gjen edhe gatimet tradicionale të zonës. Nuk mund të largohesh pa shijuar  lakrorin në saç, qengjin në hell, rakinë e kumbullës, petullat e fshira, petkat, petanikun, kulaçin, etj. 

Kishat e Voskopojës

Nga 22 kishat e dikurshme kanë mbetur në këmbë në Voskopojë ende pesë kisha dhe një manastir jo shumë larg fshatit të sotëm. Kishat, të gjitha të tipit bazilikë,  janë dëmtuar shumë jo vetëm nga plaçkitjet dhe vandalët, por edhe nga dy luftëra botërore, gjatë të cilave u shndërruan deri në depo municioni. Një tërmet i fuqishëm që goditi zonën në vitin 1960 i shtoi edhe më shumë dëmet. Vitet e fundit kishat dhe manastiri i Voskopojës janë restauruar. Vizitën e tyre mund ta nisni që në qendër të fshatit, ku do të shihni kishat e para të saj. Bëni kujdes! Për t’i vizituar ato duhet më parë të takoni kujdestarin e tyre që banon diku në qendër ose, akoma më mirë, priftin e fshatit. Përgjithësisht të gjithë banorët janë njerëz mikpritës dhe të qeshur. Të gatshëm t’ju ndihmojnë për çdo gjë. Një këshillë: kudo nëpër Voskopojë mund të udhëtoni me makinë, porse do ta ndjeni veten më mirë sikur vizitën e kishave ta kryeni në këmbë. Do të kini rastin jo vetëm të shijoni historitë e vjetra kishtare, por edhe të shijoni jetën e vërtetë dhe natyrën voskopojare. Kishat e sotme të Voskopojës janë:

Manastiri i Shën Prodhromit
Manastiri i Shën Joan Pararendësit (Prodromios) është themeluar në shekullin 14-të dhe gjatë periudhës së lulëzimit të Voskopojës, në shekujt 17-të e 18-të, u bë një nga mbështetjet më të fuqishme ekonomike dhe eklesiastike të Arkipeshkopatës së Ohrit. Kisha e këtij manastiri është ndërtuar më 1632 sipas tipit Athonit, trekonkësh, me plan në formë kryqi mbuluar me një kupolë të vendosur mbi një tambur të lartë. Interieri i kishës u dekorua me piktura në vitin 1659. Narteksi i kishës është ndërtuar dhe pikturuar nga fundi i shek. 17të, ose fillimi i shek.18të. Konakët e manastirit dhe vetë kisha u dëmtuan rëndë nga bombardimet e nazistëve gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kisha e Shën Athanasit
Kisha e Shën Athanasit është ndërtuar mbi kodrën me të njëjtin emër, e cila ka shërbyer edhe si varrezë e qytetit të Voskopojës. Kisha e Shën Athanasit është kisha e katërt e të njejtit tip, bazilikë me mbulesa të kurbëzuara, e ndërtuar në Voskopojë. Kisha është ndërtuar gjatë viteve 1721-24, ku më 1721 ka përfunduar naosi dhe më 1724 ka përfunduar arkada. Narteksi është rrënuar nga tërmeti i vitit 1960. Pikturimi i naosit dhe arkadës ka përfunduar në qershor të vitit 1745 nga vëllezërit Konstantin dhe Athanas nga Korça. Pikturat e naosit dallohen për programin ikonografik tepër të vaçantë, ku prezantohet një cikël tepër i zgjeruar me skena të shumta të martirizimit të shenjtorëve dhe ku trajtimi i hollësishëm deri diku makabër i torturimit të tyre tejkalojnë fantazitë e shikuesit. Në pikturat e arkadës vëllezërit Konstantin dhe Athanas kanë prezantuar me mjeshtëri një cikël të zgjeruar të Apokalipsit, i cili konsiderohet si cikli më i plotë i prezantuar në afreske deri në atë periudhë.

Kisha katedrale “Fjetja e Shën Marisë”

Kjo është kisha më e madhe në Voskopojë dhe ka shërbyer si katedrale e qytetit të dikurshëm. Është ndërtuar rreth vitit 1699 duke servirur një kombinim të përkryer të planit bazilikal me mbulesat e kurbëzuara, me harqe dhe kupola. Kisha është pikturuar më 1712 nga tre piktorë nga krahina e Agrafas në Greqi, Theodhori, Anagnosti dhe Steriani. Pjesë e kishë së Shën Marisë ishte edhe kishëza e Shën Marenës, sot e shkatërruar. Ndërkohë, nga tërësia e ndërtimit të dikurshëm, naosi dhe kambaneria janë ende në këmbë. Në programin ikonografik, vëndin kryesor e zë “Hymni Akathist” dedikuar Shën Marisë, , nga 24 skena, po aq strofa sa edhe hymni.

Kisha e Kryeëngjëjve, Gabriel dhe Mihael

Kisha e Kryeëngjëjve, Gabriel dhe Mihael, e njohur shkurt si kisha e “Shën-Mëhillit”, është e tipit bazilikal, me mbulesë të kurbëzuar, me afreske, paraqet një interest të vazhdueshëm për arkitekturën e saj. E ndërtuar në fund të shek. të 17, rreth vitit 1696, dhe e pikturuar në fillim të shek. të 18, rreth 1722 nga një piktor i panjohur, vlerat e afreskeve të kësaj kishe janë të shkëlqyera dhe me vlera. Pjesë përbërëse e kishën së Kryeëngjëjve, ishin edhe kishëzat e Shën-Spiridonit dhe Shën-Varvarës, të cilat nuk I rezistuan kohës apo shkatërimeve që pësoi Voskopoja në shekuj. Ndërkohë, pjesa e hajatit të kesaj kishe u shkatërrua nga tërmeti i vitit 1960, mund të vizitojmë ende naosin dhe pjesën e narteksit, si një nga kishat më të rëndësishme. 

Kisha e Shën-Kollit

Kisha e Shën-Kollit ndodhet në qëndër të Voskopojës dhe është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e tipit bazilikal post-bizantin, që ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Kjo kishë i ka të gjitha: naosi, narteksti, arkada dhe kambaneria. Është ndërtuar nga qershori i vitit 1721 deri në shtator të vitit 1722, ndërsa kambaneria mendohet të jetë ndërtuar më vonë. Rindërtimi I fundit të saj është bërë rreth vitit 1936.

Pjesë e kishës së Shën-Kollit ka qënë edhe kishëza e Shën-Efthimiut,në pjesën jugorë të saj, tashmë e shkatërruar plotësisht. Naosi është pikturuar rreth vitit 1726 nga David Selenica,  një prej  mjeshtrave më të mirë të shek. të 18-të. Stili i tij i përket shkollës tradicionale të artit të  Paleologëve, e njohur edhe si shkolla Maqedonase. Ndërsa arkada është pikturuar rreth vitit 1750 nga vëllezërit Athanas dhe Kostandin nga Korça, të mbiquajtur  “Zografi”. Ata kanë pikturuar skena të shumta nga cikli i Apokalipsit, për të dytën herë pas asaj të pasqyruar në kishën e Shën Thanasit ( të dy ciklet nuk janë kopje të njëra-tjetrës, por secila paraqet veçori krijuese).

Më 1960, pjesa e arkadës pësoi një dëmtim serioz për shkak të një tërmeti të fuqishëm, duke u shkëputur rreth 28 cm nga naosi. Ndërsa një ekspeditë restaurimi, e ndërmarrë në vitin 1962 nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, për rikthimin në vënd dhe konsolidimin e saj bëri një punë të shkëlqyer dhe profesionale. Ikonostasi i kësaj kishe u punua mjeshtërisht nga Kostandin Ieromonaku rreth vitit 1722-1726, një nga mjeshtrat më të mëdhenj të punimit të ikonës në fillim shek. të 18të. Sot një pjesë të ikonave origjinale janë pjesë përbërëse e Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë.

Çfarë mund të bësh në Voskopojë?

Vizito  kishat  dhe bazilikat e stilit post-bizantin në Voskopojë

- Eksploro shtigjet natyrore 

- Shëtit nëpër rrugët karakteristike me gur të Voskopojës

- Mos humb një shëtitje me kalë

- Mos u largo pa shijuar ushqimet bio tradicionale të zonës dhe pijet karakteristike

- Kamping 

back