Elbasani im!

Vende & Zakone

Elbasani im!

 Rreth e m'rreth kalasë, këndon kumrija 
Elbasan i bukur, Elbasan 
Përtej namazgjasë, zien metalurgjia 
Elbasan i bukur, Elbasan. 

Nuk besoj se metalurgjia zien akoma në Elbasan, por megjithatë Elbasani është i bukri Elbasan. Sepse aty ke lindur ti! Aty rreth e m’rreth kalasë fushore katërkëndore e shtruar në kalldrëme ke ecur para shtëpive tipike me hajat e çardak. Je rritur në mesin e Shqipërisë, në një qytet me Sahat zembreku i të cilit punon që prej 1899.  Ke dëgjuar rrëfenjat e banorëve për “Pusin që lahej vetë” dhe nga kurioziteti ti e kërkoje dhe prisje pranë një rrapi që pusi të shpërthente ujë dhe të nxirrte papastëritë në rrugë. Të ka rrahur supet era e Krastës, je kredhur hera-herës në ujrat e Shkumbinit e shëtitur nga ullishtet. Ke shkuar për ekskursion andej nga Gjinari, Bysheku, Labinoti, Belshi ose Miraka. Ke parë edhe shtëllungat e oxhaqeve të metalurgjikut, duke udhëtuar rrugën gjarpërueshe drejt të Krrabës.

Të kujtohet që ke mësuar në shkollë që dikur quhej Skampis / Skampini e ka qenë pikë e rëndësishme kalimi me rrugën Egnatia, që urojmë  të kthehet në identitet. Ky emër është provuar nga guri i varrit të legjionarit Mark Sabiti, i cili ruhet në ditët tona në Muzeun Etnografik në Elbasan. Specialistët vlerësojnë se guri në fjalë është i vetmi monument epigrafik që përmend emrin e lashtë të Elbasanit.  Diku nga shekulli VI-VII qyteti na u shkatërrua nga barbarët, nuk ishte i vetmi në fakt. Kur erdhën turqit në mesjetë e themeluan prapë qytetin. Kalanë e vjetër të Skampinit të ndërtuar e rindërtuar nga perandori Justiniani i Parë, në vitet 530 – 565 pas krishtit, e rindërtuan 150 mijë njerëz në vetëm 25 ditë me urdhër të Sulltan Mehmetit. Ai kërkoi të vendosej një pllakatë në hyrje të kalasë me emrin e tij (edhe sot vazhdon si traditë kjo në Shqipëri). Aty shkruhej në turqisht: : “Eli-Basan, es Sulltan, ibni Sulltan, Fahati Sulltan, Mehmet thani han.” (Vura dorë, unë sulltan bir sulltanësh, sulltan triumfues, Mehmeti, mbret i madh.”). Dhe kështu Elbasani u shndërrua në qendrën e Islamit në Shqipëri por edhe në një qendër tregtie shumë të rëndësishme ku organizoheshin dhe panaire.

Më tej në Elbasanin e mendimtarëve e gjuhëtarëve Dhaskal Todrit e Kristoforidhit u hap shkolla e parë e mesme shqiptare në 1909.  Këmbëngulja e burrave të shquar si Aqif Pashë Elbasani, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Ahmet Dakli, etj, që sot kujtohen edhe përmes shkollave, emrat e të cilëve i mbajnë, e bëri Elbasanin simbol të arsimdashësve.

Qyteti yt është i famshëm edhe për traditat që ka ruajtur e përcjellë brez pas brezi. Dita e verës ose festa e Elbasanit është shndërruar në festë kombëtare. I kujton kur ishe i vogël veroret që lidhje në dorë? Po ballokumet fantastike që gatuante gjyshja në tenxheren e saj të bakrit? Mmmm ajo tava e kosit me mish qengji ose keci, të lëpije gishtat! Po bugaçet që merrje me vete kur ikje në shkollë?  S’po vazhdoj më se na shtohet nepsi. Po ti lë ty ti kujtosh të tjerat!

Ky ishte një përshkrim i shkurtër historik i vendlindjes tënde. Ti na shkruaj për çdo ndryshim që ka pësuar Elbasani. Gjithashtu ne mirëpresim çdo reportazh nga lexuesit tanë për të na treguar për vendlindjen e tyre gjatë kohës së sotme e të shkuar.

Referenca: http://elbasani.gov.al

©flasshqip.ca