“Duam kualifikimin”, Bushi ankohet për brezin e ri të lojtarëve të U-21: Nuk kanë pasion dhe përkushtim për fanellën, kemi një problem ballkanas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2023 | 12:01

“Duam kualifikimin”, Bushi ankohet për brezin e ri të lojtarëve të U-21: Nuk kanë pasion dhe përkushtim për fanellën, kemi një problem ballkanas

Kombëtarja shqiptare U-21 u shortua në Grupin E me Zvicrën, Rumaninë, Malin e Zi, Armeninë dhe Finlandën në eliminatoret e Kampionatit Europian 2026.

WhatsApp-Image-2023-02-04-at-11.47.51

Në një konferencë për mediat, trajneri i ekipit të Shpresave Alban Bushi foli për kundërshtarët e kuqezinjve në këtë grup si edhe objektivat e Shqipërisë në eliminatoret e vlefshme për EURO 2025.

Objektivat në këto eliminatore? – Ne jemi ekip modest, por jemi të fortë kur bëhemi bashkë dhe sakrifikojmë për njëri-tjetrin. I kemi të gjitha shanset për t’u kualifikuar. Kemi probleme për gjetjen e lojtarëve në disa pozicione.

Abissnet Superiore? – Këtë sezon nuk është se ka shumë lojtarë për Shpresat. U bëj thirrje klubeve të aktivizojnë lojtarë të rinj, do të përfitojnë nga ata.

Grupi E – Do jetë grup interesant, mendoj se do ketë shumë barazime. Jemi të fokusuar te ndeshja e parë ndaj Armenisë. I kemi parë, e kuptuam mënyrën e tyre të lojës. Duke sakrifikuar dhe luftuar, por edhe me pak fat, kemi mundësi të arrijmë sa më lart.

Lojtarët që do të dëshironte trajneri Bushi nga ekipi A dhe takimet me trajnerin e ri Silvinjo – Asllani dhe Adrian Bajrami janë dy lojtarët që mund t’i kemi nga ekipi A, por Bajrami është i dëmtuar. Me Silvinjon kemi patur 2-3 takime. Më pëlqen shumë mënyra se si punon. Mendon të bëjë sa më mirë dhe të arrijë sa më lart. Edhe si futbollist ka qenë i tillë. Mendoj se do të bëjë mirë, si ekipi i parë dhe ekipi Shpresa.

Problemet me ekipin U-21? – Kemi punuar mjaft mirë, kemi patur edhe problemet tona. Problemi më i madh ka qenë përqendrimi, një problem ballkanas. Është një gjë gjenetike, si rritesh dhe si zhvillohesh. Përqendrimi gjatë 90 minutave na ka munguar.

Programi i ekipit U-21 në vijim – Do të grumbullohemi në mars në Antalia për të bërë diçka më ndryshe. Do të luajmë katër ndeshje miqësore. Futbolli është aq sport i bukur, por edhe i mërzitshëm. Mund të luajmë keq, por duhet të vrapojmë mirë dhe të luftojmë. Këtë kam kërkuar gjithmonë tek ekipi.

Brezi i ri i futbollistëve? – Është një brez pak i çuditshëm. Nuk kanë shumë pasion dhe dëshirë për fanellën, kohët kanë ndryshuar, por janë djem të mirë. Mendoj se 70% e grupit do të jetë njësoj me grupin e tetorit. Unë kam shumë besim se do të afrojmë edhe shumë lojtarë të tjerë”, tha ndër të tjera trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"

Panorama Sport