Të përdorim mirë gjuhën tonë të lashtë. Flet Anila Omari! - Shqip
Na ndiqni edhe në

Shqip

Të përdorim mirë gjuhën tonë të lashtë. Flet Anila Omari!

Të përdorim mirë gjuhën tonë të lashtë.

Gjuhëtarja Anila Omari në Shqip nga Rudina Xhunga, DritareTv ndau një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, që ta duan më shumë shqipen.

Zonja Omari u shpreh se emigrantët që duan të krenohen me Gjuhën Shqipe para të gjithëve që kanë kureshtje rreth saj, duhet të dinë se shqipja është një gjuhë e veçantë brenda familjes indoevropiane.

“Emigrantët shqiptarë mund të vënë në dukje që shqipja është një gjuhë e veçantë. Kur të huajt i pyesin se çfarë është kjo gjuha juaj, emigrantët duhet të dinë disa gjëra elementare për shqipen. Që është një gjuhë indoevropiane, por nuk ka familje, është një gjuhë më vete. Gjuhë e veçantë brenda kësaj familje. Tani ka informacion, të gjitha këto i gjen në Wikipedia që lidhen me origjinën e shqipes, lashtësia, cila gjuhë është më e vjetër, kuriozitet të ndryshme”, u shpreh gjuhëtarja.

Ndërkohë, gjuhëtarja theksoi se e rëndësishme për të mbrojtur shqipen është që të gjithë shqiptarët të përdorin sa më mirë Gjuhën Amtare dhe të mos e ndërthurin atë me fjalë të huaja kur bisedojnë.

“Ajo që duhet të vëmë rëndësi, është përdorimi i duhur i gjuhës. Ndërgjegjësimi për të përdorur Gjuhën Amtare, jo dygjuhësinë. Po të kenë pak dashuri për gjuhën dhe ndërgjegjësim, të përpiqen se e dinë, e kanë në kujtesën e tyre, atë që kanë marrë nga nëna dhe babai, gjuhën. Por mesa duket ky prestigji për një gjuhë të madhe ndërkombëtare që është anglishtja, që e imponon këtë gjë. Ka të bëjë prestigji, ana psikologjike e folësve, që duan të përdorin fjalë të huaja, pasi mendojnë se i japin më shumë rëndësi vetes. Duhet të ngremë prestigjin e shqipes”, shtoi më tej gjuhëtarja./M.K-dritare.net