Lola Gjoka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lola Gjoka, lindur Aleksi (Sevastopol, 22 maj 1910 - Tiranë, 1985) ka qenë muzikante, pedagoge dhe përkthyese shqiptare.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Sevastopol të Rusisë, më 22 maj të vitit 1910 në një familje emigrantësh shqiptarë, me origjinë nga Bulgareci i Korçës.[1] Shkollën e përgjithshme e kreu në qytetin e lindjes, ku studioi për piano dhe danc në klasën e Karallova-s. U kthye në atdhe, në Korçë, në vitin 1932, ku së bashku me Jorgjia Trujan, Thoma Bezhanin, e Llambi Turtullin debutoi në koncertin e parë profesionist, në kinema “Mazhestik” të Korçës. Në vitet 1933-1934 kreu një varg koncertesh si soliste e koncertmaestre e këngëtarëve Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Marie Kraja, Kristo Koço e Mihal Ciko.[2]

Vlerësohet me fletë nderi në konkursin pianistik në Vjenë të Austrisë, në vitin 1933, ku shquhet për debutimin e saj dhe po atë vit emërohet nga Hilë Mosi mësuese e pianos dhe e valles në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë. Përfundon me pikët më të larta studimet e larta si pianiste koncertiste në Athinë. Së bashku me Tefta Tashko Koçon, Jorgjie Trujën e Marie Krajën merr pjesë në Panairin e Firences si përfaqësuese të artit shqiptar në vitin 1938.[3]

Lola Gjoka është një ndër të parat mësuese të pianos të shkollës së parë muzikore shqiptare, Liceut Artistik. Në vitin 1953 emërohet koncertmaestre e grupit lirik në Filarmoninë Shqiptare të sapokrijuar, ku kontribuon për vënien në skenë të mjaft veprave të kulturës botërore dhe si as/regjisore. Pas hapjes se Teatrit të Operës luan një rol të rëndësishëm artistik në repertorin e gjerë operistik të asaj kohe. Me hapjen e Konservatorit të Tiranës, në vitin 1962 emërohet pedagoge e pianos dhe koncertmaestre e klasave të specialitetit të kantos, duke mos iu ndarë aktivitetit koncertor edhe jashtë vendit, si në Rusi, Kinë, Hungari, Kubë etj.[2][4]

Merr titullin “Artiste e Merituar” për merita si artiste e veprimtare artistike më 1966 dhe titullin “Artiste e Popullit” në vitin 1978, për veprimtari të shquara si pedagoge pianiste dhe përpunuese e këngës popullore. Pianistja Lola Gjoka është një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor, sepse ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve të para artistike, duke punuar me përkushtim paralelisht edhe në formimin e artistëve të rinj. Ka dhënë ndihmesë të vyer edhe në përkthimin e dy operave të para, “Rusalka” dhe “Ivani Susanjin”. Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues. Me elegancën dhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e majit 1978. Por sigurisht që thesari më i çmuar që na ka lënë është libri “50 këngë të përpunuara”, botuar pas vdekjes. Vdiq më 6 tetor të vitit 1985 në Tiranë.[1][5] Një cmim për pianistët e rinj në Shqipëri ka emrin e saj.[2]

Në 2002, Hamide Stringa shkroi biografinë e Lola Gjokës.[6]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Alma Mile. "Lola Gjoka ta bindesh burimin ne pentagram". Shqiperia.com. Marrë më 21 dhjetor 2015.
  2. ^ a b c Lajme (19 qershor 2010). "Përkujtohet 100-Vjetori I Pianestes Lola Gjoka". Arkivuar nga origjinali më 24 dhjetor 2015. Marrë më 23 dhjetor 2015.
  3. ^ Eno Koço (2004). Albanian Urban Lyric Song in the 1930s (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 79–80, 59. ISBN 978-0-8108-4890-0.
  4. ^ "Lola Gjoka" (në anglisht). Internet Movie Database. Marrë më 23 dhjetor 2015.
  5. ^ Roland Çene (24 shkurt 2013). "Nje monografi per pianisten e pare shqiptare" (PDF). Rilindasi (në anglisht): 21. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 25 dhjetor 2015. Marrë më 27 tetor 2017. ... instrumentistes së parë shqiptare, pianistes Lola Gjoka (Aleksi) 'Artiste e Popullit'.
  6. ^ Hamide Stringa (2002). Një jetë mbi tastierë: Lola Gjoka (Aleksi) (në anglisht). Toena.