Yjet kryesorë të Bayernit i tregojnë drejtuesve të klubit për trajnerin që duan të punojnë

Drejtuesit e Bayern Munich janë të vendosur për të ecur para me planin e tyre dhe për të mbyllur ashtu siç është deklaruar më herët, aventurën me Thomas Tuchel. Madje, vetë tekniku është shprehur se do të largohet nga drejtimi i skuadrës dhe se tashmë kishte nisur puna për të gjetur zëvendësuesin e tij.

Mirëpo, planet janë të komplikuara tashmë për bavarezët që kanë marrë refuzime nga trajnerë të ndryshëm ndërsa drejtuesit duhet të mendojnë edhe për senatorët e ekipit që kërkojnë të vijohet puna me Tuchel.

Sipas “Sky Sport DE”, Manuel Neuer, Thomas Muller, Jamal Musiala, Leroy Sane, Eric Dier dhe Harry Kane u kanë komunikuar drejtuesve mendimin e tyre të qartë dhe shumë të drejtpërdrejtë; ata kërkojnë me çdo kusht që trajneri Tuchel të qëndrojë edhe për sezonin e ardhshëm.

Tashmë, mbetet për t’u parë se sa do të merret në konsideratë kjo kërkesë e senatorëve të Bayern Munich, me drejtuesit që duket se do të kalojnë një verë të “nxehtë” për të zgjidhur rrugën që do të ndjekë skuadra sezonin e ardhshëm.

Rregull i ri për Euro 2024, me gjyqtarin komunikon vetëm Gjimshiti