14 Dhjetori, datë historike për Elbasanin dhe demokracinë - Nga Roland Gjini

Histori

14 Dhjetori, datë historike për Elbasanin dhe demokracinë - Nga Roland Gjini

Roland Gjini

Nuk janë të pakta rastet në historinë shqiptare që Elbasani dhe qytetarët e tij kanë dhënë shëmbuj të çmuar, madje kanë paraprirë ngjarje të mëdha historike. Më 25 nëntor 1912 ishte i pari qytet në Shqipëri që parapriu ngritjen e flamurit të pavarësisë. Ky qytet kishte nxjerrë edhe më parë burra në zë, që paraprinë dhe organizuan mësimin e shkollën shqipe, duke nisur nga Dhaskal Todri e Kostandin Kristoforidhi e duke vazhduar më tej me Aleksandër Xhuvanin. Ky qytet i dha vendit burra që do të ideojnë e do të formojnë, më pas, shtetin e pavarur shqiptar, si Aqif Pashë Elbasanin, Lef Nosin, Qemal Karosmanin, Shefqet Daiun e shumë të tjerë.

Muajt e Vjeshtës dhe të Dhjetorit u kujtojnë elbasanasve mjaft ditë e data të shënuara, të regjistruara këto përgjatë dekadave të Rilindjes së popullit shqiptar, përgjatë përpjekjeve të tij në rrugën e pavarësisë, lirisë e përparimit.  Kështu, janë të paharruara jo vetëm nga kujtesa e historisë, por e çdo qytetari elbasanas data të tilla si:

-2 Shtator 1909 - Kongresi historik i Elbasanit.

-Pranojmë edhe 11 Nëntorin e vitit 1944 si ditë të çlirimit nga pushtuesit fashistë e nazistë.

-25 Nëntor 1912 - Shpallja e pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar.

-1 Dhjetor 1909- Hapja e shkollës Normale

Gjatë viteve të regjimit totalitar Nëntorit dhe Dhjetorit do t’i shtoheshin edhe data përkujtimore të tjera, që përfaqësonin kryesisht revolucione apo ditëlindje udhëheqësish komunistë, por që të jemi realistë, populli i Elbasanit nuk arriti t’i ndjejë asnjëherë këto data si festa apo ditë nderimesh.  Po të shtojmë këtu faktin që gjatë këtyre viteve, pushtetarët e lartë të dalë nga Elbasani do të ishin të paktë, atëherë do të pranonim që këto janë shenja të mospajtimin në masë të qytetarëve të këtij qyteti me diktaturën komuniste. Mospajtim ishte edhe heshtja e e këtij qyteti dhe mungesa e entusiazmit në tubimet popullore që zhvillonte herë pas here partia-shtet e asaj kohe.

Kjo heshtje për Elbasanin nuk vazhdoi gjatë, Pa u mbushur dy ditë nga shpallja e plurazmit dhe nga formimi i Partisë Demokratike, Elbasani shpërtheu. Djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë më guximtare të tij dolën në shesh dhe u përballën me diktaturën, e cila ishte egërsuar ngaqë kishte kuptuar që po vinte agonia e saj. Ditën e 14 Dhjetorit 1990 nga pak nismëtarë numri i tyre shumë shpejt kaloi në qindra. Të rinjve iu bashkuan edhe moshat më të rritura. Djemve dhe burrave iu bashkuan edhe vajza dhe gra. Punëtorëve dhe intelektualëve iu bashkuan edhe të rinj edhe studentë. Pra demonstrimi mori përmasa masive.

Pas afro gjysëm shekulli, ishte 14 Dhjetori i vitit 1990, hapi i parë për t’i rikthyer Elbasanit dinjitetin e datave e ditëve të shënuara të Nëntorit e Dhjetorit. Elbasanasit e duruar e të matur, por asnjëhere pasivë, si në çështjen kombëtare, ashtu edhe në rrugën e zhvillimit e përparimit, paraprinë përsëri procesin e progresit kombëtar. Nëse dekadada më parë, me ngritjen e të parit flamur në 25 Nëntor të vitit 1912, paraprinë aktin e patriotëve shqiptarë që u mblodhën më pas e shpallën pavarësinë kombëtare në Vlorë më 28 nëntor të 1912-tës, tashmë me ngjarjet e 14 Dhjetorit të vitit 1990, elbasanasit paraprinë procesin e rrëzimit të komunizmit.

Në planin historik ngjarjet e 14 Dhjetorit nuk ishin as spontane dhe as shkatërrimtare e antikombëtare. Ngjarjet e 14 Dhjetorit të vitit 1990 në Elbasan nuk ishin as revolucion, e as kryengritje rebele. Ato ishin një shpërthim popullor, në emër të mllefit të grumbulluar, nga njera anë, dhe idealeve të reja të shfaqura menjëherë nga Levizja Studentore në Tiranë dhe krijimi i Partisë Demokratike, nga na tjetër.

Fakti që në këtë lëvizje nuk pati gjakderdhje nuk ka të bëjë me tolerancën e pushtetit të asaj kohe, por me largpamësinë e popullit elbasanas. Nuk ishte nevoja të ndeshej me forcat policore, megjithëse këta u urdhëruan të ushtrojnë dhunë mbi protestuesit. Populli e kishte të qartë se ato ishin vetëm leva të një rregjimi që po i vinte fundi. Kur flet populli, flet e vërteta, mbase këtë e kuptuan edhe policët e thjeshtë të asaj kohe. Dhe kështu ndodhi, revolta e 14 Dhjetorit dhe e ngjarjeve që pasuan më pas rrëzuan godinën karakatinë të pushtetit komunist.

14 Dhjetori u rendit në ditët e shënuara të krenarisë elbasanase për disa arsye:

-Së pari, këtë ditë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe studentët pjesëmarrës në këtë ngjarje i treguan qytetarëve të vet dhe gjithë Shqipërisë se jo vetëm janë kundërshtarë të regjimit diktatorial, por edhe aktorë aktivë për rrëzimin e komunizmit,

-Së dyti, kjo datë shprehu solidarizimin e elbasanasve me Lëvizjen Studentore të Tiranës, si dhe me të tërë lëvizjet parardhëse antikomuniste të ndodhura në Shkodër, Kavajë, Tiranë e në qytete të tjerë,

-Së treti, me anë të veprimeve në dukje të pakontrolluara, por për mendimin tim të menduara mirë, protestuesit thyen disa tabu dhe dhanë disa shmbuj se si mund të shembet sistemi komunist, i padëshiruar nga shumica e shqiptarëve.

Kështu me djegjen e ndonjë autobusi u dha simboli i daljes nga skllavërimi dhe trajtimi mizerabël i punëtorëve, të cilët udhëtonin me këto fizarmonika të shtremberuara e të shqyera e që fusnin brenda ujë, të ftohtë e pluhur,

Me djegjen e shkatërrimin e ndonjë tanku apo makine policie u dha sinjali i urrejtjes ndaj pushtetit shtypës,

Me djegjen e librave të diktatorit, që u nxorën nga libraritë e qytetit, u shfaq hapur kundërshtia e elbasanasve ndaj ideologjisë komuniste dhe ndaj të ashtuquajturës vijë udhëheqëse të Partisë së Punës.

Ndërsa vjedhjet e shkatërrimet e disa dyqaneve i kryen provokatorët e futur nga sigurimi i shtetit.

Lind pyetja: A kishin të drejtë përfaqësues të popullit të Elbasanit të ngriheshin në këtë mënyrë në 14 Dhjetor? Mendoj se po. Për të argumetuar këtë pohim po citoj përcaktime të disa personaliteteve të shquara të mendimit njerëzor apo teoricienë të demokracisë. Kur një sistem është i padëshiruar për popullin është po populli që e rrëzon atë. Që në shekullin e XVI rilindasi italian Makiaveli thoshte “Vox populi, vox Dei”, fjala e popullit është fjala e zotit. Pra, për dekada me rradhë, regjimi dikatorial ishte bërë i padurueshëm për popullin, dhe 14 Dhjetori qe shenja e parë e dukshme që populli është gati ta rrëzojë atë.

Por, si mund të rrëzohej ky rregjim? Me revolucion, si në kohërat e shekujve XVI-XIX kur në Evropë e më gjerë u përmbysën monarkitë absolute totalitare dhe u hap rruga qytetërimit modern perëndimor në Angli, Francë, Gjermani etj. Jo. Revolucioneve shoqërore jo vetëm u ka kaluar koha, por ata u bastarduan dhe kaluan në luftëra të ashpra civile gjatë shekullit XX, kur fillimisht në Rusi e pastaj në mjaft vende të Lindjes revolucionet u kthyen në bolshevike, proletare apo socialiste.

Këta revolucione jo vetëm shkaktuan gjakderdhje, por pas fitores vendosën dikatura të reja, më të egra se regjimet monarkike absolute mesjetare. Koha të cilën po përjetonte Shqipëria kërkonte arritjen e demokracisë me rrugë demokratike. Protesta mbarëpopullore është provuar se është rruga më e efektshme për të sjellë e për të forcuar demokracinë.

Demokracia e re që po kërkohej të vendosej do ndiqte rrugën e vet të sigurtë e të pakthyeshme. Të gjithë sistemet dhe të gjitha regjimet pretendojnë se punojnë ne emër të popullit, madje jo vetëm monarkitë absolute por edhe diktaturat. Sistemi demokratik ndryshon nga ai totalitar se i shërben popullit dhe nuk mburret se vepron në emër të tij.

Studiuesi i demokracisë amerikane, historiani dhe diplomati francez Alexis de Tocqueville, thotë se në themel të demokracisë qëndron sovraniteti i popullit. Por, vazhdon më tej ai, gjatë ushtrimit të qeverisjes demokratike ky sovranitet qëndron i fshehur, ky sovranitet respektohet pa u njohur.

E përmenda këtë përcaktim për të gjykuar sot, pas 30 vjetësh mbi rolin e pjesëmarrësve në ngjarjet e 14 Dhjetorit. Ishin me dhjetra e qindra guximtarët që zgjuan Elbasanit nga letargjia që i kishte vënë komunizmi. Ata u përballën me tanket e forcat shtypëse të regjimit. Disa edhe u burgosën. 14 Dhjetori u pasua me ngjarje e situata të reja e të shpeshta, që si një zinxhir çuan deri në përmbysjen e rregjimit komunist.

Sot, po të kthejmë kokën pas, shohim që këta heronj heshtin, ose të paktën nuk mburren për atë cfarë kanë bërë. Shumë prej tyre janë të kënaqur me përmbysjen e regjimit dhe kanë shfrytëzuar mundësitë e reja që hapi periudha post-komuniste demokratike, sidomos ekonomia e tregut. Disa të tjerë janë mjaftuar me gjetjen e një pozicioni sa për të jetuar, disa madje mund të themi që edhe sot mund të kenë vështirësi jetese. Më tej, me keqardhje kujtojmë, se disa prej tyre nuk jetojnë më.

Kanë kaluar 30 vjet. Nga 14 Dhjetori 1990, të lindurit e këtejshëm kanë krijuar një brez më vete. Lind pyetja: A është realizuar qëllimi i dhjetoristëve të Elbasanit dhe të krejt Shqipërisë për ëndrrën europiane? Për fat të keq jemi ende larg realizimit të kësaj ëndrre.  Tranzicioni po zgjat, por ky tranzicion, të paktën, nuk duhet të na pengojë të respektojmë ata që na sollën të parët ndër mend se rruga e vetme e përparimit të shqiptarëve është rruga drejt Evropës. Këta janë heronj, pasi heronjtë nuk shfaqen rëndom, por ata i nxjerr koha në momentet më kyçe të historisë së një kombi.

Elbasani dhe shoqëria u ka mjaft borxhe këtyre heronjve. Mbi të gjitha është respekti dhe vlerësimi për veprën e tyre. Prandaj, që kjo vepër të mos hiqet nga kujtesa jonë dhe e brezave që vijnë më pas, lipset të përjetësohet e shpërblehet, jo me rrugë ekonomike e poste politike, por së paku me një monument, ashtu siç është përjetësuar, për shembull, kontributi i elbasanasve në kulturën e arsimin kombëtar, me anë të obeliskut të ngritur në qendër të qytetit. Veprën e tyre të madhe nuk mund ta nxëjë dot një pllakë e vogël përkujtimore, por një monument i madh, ku së paku të shkruhen emrat e këtyre heronjve, sado që të jenë ata.

©Roland Gjini