Tirana, kryeqendra e Shqipërisë që ruan ende kulturën dhe traditat – Trip to Albania

Tirana, kryeqendra e Shqipërisë që ruan ende kulturën dhe traditat

Sa herë përmendet Tirana, të gjithëve na vjen në mendje kryeqyteti i Shqipërisë.  Tirana ndodhet në qendër të Shqipërisë, rreth 35 km në lindje të Durrësit dhe rreth 40 km në veri-perëndim të Elbasanit, në një luginë të rrethuar nga Mali i Dajtit në lindje, kodrat e Kërrabës dhe Saukut në jug, kodrat e Vaqarrit dhe Yzberishtit në perëndim dhe ato të Kamzës në veri.

Qyteti i Tiranës është qyteti më i madh i Shqipërisë dhe qendra më e madhe ekonomike, administrative, politike, industriale, mediale, akademike, sociale dhe kulturore e vendit. Tirana ndodhet vetëm 17 km larg aeroportit “Nënë Tereza”, aeroportit ndërkombëtar në Shqipëri i njohur dhe me emrin Rinas. Ky aeroport është hyja më e rëndësishme lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe pjesës tjetër të botës.

Tirana me një sipërfaqe prej 1,110.03 km², ndodhet 110 metra mbi nivelin e detit. Lartësia mesatare e fushës së Tiranës është 521 m, kurse dy malet më të larta rrëz të cilëve shtrihet janë Mali i Dajtit me 1612 m dhe Mali me Gropa me 1828 m.

Qyteti gjendet rreth 34 kilometra larg detit Adriatik në perëndim. Nga jugu dhe perëndimi rrethohet nga kodra relativisht të ulta, kurse nga ana veriperëndimore Tirana shtrihet mbi një zonë të rrafshët.

Në periferinë veriore kalon lumi i Tiranës. Disa kilometra më tutje nga ana jugore rrjedh lumi i Erzenit. Para reformës administrative të 2014, sipërfaqja e qytetit të Tiranës ishte rreth 31 km², ndërsa sipërfaqja e gjithë rrethit ishte 1288 km² dhe përfshinte katër qendra: Tiranën, Vorën, Krrabën dhe Kamzën si dhe 150 fshatra. Pas reformës administrative bashkia e Tiranës u zgjerua në 1,110.03 km² ndërkohë që rrethet si njesi administrative u shkrinë. Tirana gjithashtu është pjesë e qarkut të Tiranës përfshin pesë bashki : Tiranën, Kamzën, Vorën, Kavajën dhe Rrogozhinën.

Qendrën e Tiranës e përshkon përroi i Lanës i cili në grykëderdhje bashkohet me lumin Ishëm. Tirana ndodhet në të njëjtin paralel me Napolin, Madridin dhe Stambollin dhe në të njëjtin meridian me Budapestin dhe Krakovin.

Në Tiranë mbizotëron një klimë nëntropikale-mesdhetare me rreshje dimërore dhe me temperatura mesatare vjetore në korrik + 24° Celsius dhe në janar +7° Celsius. Në vit bie 1 189 mm shi.

 

Kultura, tradita dhe turizmi

 

Kryeqyteti i Shqipërisë, si çdo metropol europian, është i pasur për sa i përket energjisë dhe gjallërisë që ofron. Të vizitosh këtë qytet me moshë të re, plot kafene, bare, taverna e klube nate, është një kënaqësi e argëtim më vete. Popullsia e re dhe dinamike, si dhe mikpritja që e karakterizon, përbëjnë një kuriozitet dhe interes për atë që e viziton për herë të parë. Rreth emrit të qytetit ka një sërë hipotezash. Disa prej tyre i referohen emërtimit Tyrrenia (emërtim i lashtë etrusk). Të tjerë mendojnë se qyteti është quajtur Theranda (që do të thotë të korrat), si dhe Tirkan, emërtimi i një kështjelle të vjetër rrëzë malit të Dajtit. Eksplorimi i Tiranës mund të nisë, duke vizituar muzetë ose pikat kryesore, një pjesë e mirë e të cilave gjenden në sheshin qendror të qytetit, i quajtur sheshi “Skënderbej”. Aty mund të shikoni xhaminë e Et’hem Beut (ndërtuar në periudhën midis viteve 1798-1823) apo Kullën e Sahatit, të përuruar në vitin 1822, e cila është 32 metra e lartë. Ndonëse një monument me stil oriental, ajo ka në majë një kupolë të tipit San Marko. E veçanta e kësaj kulle, e cila sot është e hapur për vizitorët, është se deri në vitin 1971 ka qenë ndërtesa më e lartë e Tiranës. Pallati i Kulturës është ndërtuar në vitin 1968 sipas stilit sovjetik. Tullën e parë për ndërtimin e saj e ka vënë Nikita Hrushovi gjatë vizitës së tij në Tiranë. Në shesh gjendet edhe monumenti i Heroit Kombëtar, Skënderbeut, i vendosur në këtë vend në vitin 1968. Mozaiku i Tiranës (Rr. “Naim Frashëri”) përbën një kuriozitet më vete, si monumenti arkeologjik më i vjetër i Tiranës.

 

Ai daton në shek. IV e.s. dhe mendohet se ka qenë pjesë e dyshemesë së një vile romake. Varri monumental i Kapllan Pashës (njërit prej sundimtarëve të Tiranës), i cili ka qenë pjesë e Xhamisë së Madhe, Ura e Tabakëve në bulevardin “Zhan d’Ark” (ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX) janë disa nga pikat më interesante të kryeqytetit. Në Tiranë, gjithashtu, mund të vizitoni muze, galeri dhe teatro.

 

I tillë është Muzeu Historik Kombëtar, i përuruar në vitin 1981, i cili gjendet në sheshin “Skënderbej”. Aty bie në sy mozaiku “Shqipëria”, që është më i madhi në vend. Muzeu Arkeologjik, Galeria e Arteve Figurative, muzeu privat “Mezuraj”, Teatri i Operës dhe Baletit, etj. Tirana ofron objekte për të interesuarit e periudhës komuniste si: shtëpia e ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha, e cila gjendet në zonën e quajtur ish-Blloku ose ish-muzeu i tij, që qytetarët e quajnë Piramida. Në periferi të Tiranës gjendet “Bunkarti”, i cili është një bunker i ngritur për mbrojtjen bërthamore gjatë viteve 1972-1978. Ai është çelur për vizitorët që prej vitit 2014 dhe në të gjendet muzeu i ushtrisë. Ky është një objekt interesant i periudhës së Luftës së Ftohtë. Në jug të qytetit gjendet Parku i Madh, i cili ka sipërfaqe 260 hektarë. Brenda parkut mund të vizitoni liqenin artificial, me sipërfaqe 55 hektarë, i cili është një vend mjaft i frekuentuar nga banorët e kryeqytetit. Aty mund të shijoni një kafe buzë liqenit apo bëni ecje sportive dhe vrap. Tirana ofron një shumëllojshmëri restorantesh, që variojnë nga ato tradicionale vendase, deri te kuzhinat italiane, spanjolle, kineze e indiane.

Ndër gatimet kryesore të qytetit është tava e dheut, e cila përgatitet me gjizë, domate dhe të brendshme bagëtish. Zona pranë qytetit, e njohur për klimën e butë, shquhet gjithashtu për prodhimin e verërave të markave: “Shesh i Zi” dhe “Shesh i Bardhë”. Ndër festimet kryesore që zhvillohen në Tiranë janë “Nata e Bardhë”, e cila festohet më 29 Nëntor. Kjo ditë shoqërohet nga një sërë aktivitetesh rinore, shfaqjesh muzikore në rrugë e sheshe, etj. Vetëm 25 km larg Tiranës gjendet Parku Kombëtar i Dajtit, i quajtur ndryshe Ballkoni Natyror i Tiranës, i cili ka një sipërfaqe prej 3.300 ha. Mund të shkohet me makinë ose edhe nëpërmjet teleferikut, i cili ofron një pamje mjaft tërheqëse. Shpella e Pëllumbasit, Shkalla e Tujanit në grykën e lumit të Tiranës, Biza (pikë malore) janë ndër atraksionet  kryesore natyrore. Me një rëndësi për vlerat që mbartin janë kalaja e Petrelës dhe e Prezës, si dhe rrënojat e qytetit antik të Presqopit, pranë Petrelës, të cilat janë objekte kryesore të trashëgimisë kulturore e historike të Tiranës.

Kalaja e Petrelës: Ndodhet në rrugën nacionale Tiranë – Elbasan, 18 km larg nga kryeqyteti dhe është një prej pikave kryesore turistike pranë Tiranës. Kalaja ngrihet mbi një kodër shkëmbore, sipër fshatit me të njëjtin emër. Ka trajtë trekëndore me dy kulla vrojtuese. Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së Antikitetit, ndërsa forma e sotme i daton shekullit XV. Kalaja e Petrelës bënte pjesë në sistemin sinjalizues dhe mbrojtës të Kalasë së Krujës. Këto kala komunikonin me njëra-tjetrën nëpërmjet zjarreve. Në atë kohë, drejtohej nën komandën e motrës së Skënderbeut, Mamica Kastriotit. Sot, në ambientet e kalasë ka shërbim restoranti. Prej andej hapet një pamje mjaft e bukur drejt luginës së Erzenit, kodrave me ullinj dhe maleve përreth.

 

 

Disa nga pikat turistike që mund të vizitohen në Tiranë janë:

 

  • Mozaiku i Kishës Paleokristiane
  • Kompleksi muzeal i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshit “Skënderbej”
  • Parlamenti (Teatri i Kukullave)
  • Kulla e Sahatit e ndërtuar në vitin 1830.
  • Xhamia e Et’hem Beut
  • Katedralja Ortodokse e Ringjalljes së Krishtit
  • Kisha-Katedrale e Shën Palit
  • Varri monumental i Kapllan Pashës
  • Kalaja e Tiranës
  • Pallati i Princeshës Sanije
  • Rezidenca Mbretërore
  • Kompleksi monumental i Sheshit të Flamurit
  • Lulishtja publike më e vjetër e qytetit
  • Shatërvani i parë i qytetit
  • Ura e Tabakëve
  • Vendi ku është shpallur Pavarësia
  • Rrapi monumental i Tabakëve
  • Varrezat e Dëshmorëve si pikë turistike dhe monument artistik.
  • Pallati i Brigadave
  • Kalaja e Petrelës

 

Muzetë

  • Muzeu i Shkencave të Natyrës (1948)
  • Muzeu i Arkeologjisë (1948)
  • Muzeu Historik Kombëtar (1981)

 

Lagjja e parë e Tiranës ishte ajo e Bamit.

Xhamia në qendër të Tiranës, e quajtur Xhamia e Ethem Beut, filloi të ndërtohej më 1789 nga Molla beu i ardhur prej Petrelës dhe u përfundua më 1821 nga i biri, Haxhi Et’hem Beu, stërnipi i Sylejman Pashës. Për të punuan mjeshtërit më të mirë të Shqipërisë.

Kulla e Sahatit u fillua nga Haxhi Et’hem Beu rreth vitit 1821–1822 dhe u përfundua me ndihmat e familjeve të pasura të Tiranës. Montimi i sahatit u bë nga familja Tufina. Më 1928 u ble në Gjermani nga shteti shqiptar një Sahat modern dhe kulla u ngrit në lartësinë 35 m. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Sahati u dëmtua, por u rivu në punë në korrik të vitit 1946.

Ura e Tabakëve (përballë Parlamentit) daton në shekullin XVIII.

 

Tyrbja e Kapllan Pashës (pranë monumentit Ushtari i panjohur) është ndërtuar në vitin 1816.

Kalaja e Petrelës ndodhet 12 km nga Tirana dhe daton në shekullin IV para Krishtit. Formën e saj aktuale e mori në shekullin e XIII nën sundimin e Topiajve dhe më vonë kaloi pronë e familjes së Kastriotëve.

Mali i Dajtit, në lindje të Tiranës është 1612 m i lartë.

Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm më 8 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe përfundimisht e mori këtë status më 31 dhjetor 1925.

Tirana është kryeqendra botërore e bektashinjve nga viti 1925, vit kur bektashinjtë u ndaluan dhe u përzunë nga Turqia.

Rruga e Durrësit është hapur me 1922 dhe quhej «Nëna Mbretëreshë». Për ndërtimin e saj u prishën shumë shtepi e kopshte.

 

Sheshi Skënderbej

Godina ekzistuese e Parlamentit u ngrit më 1924 dhe fillimisht ka shërbyer si Klubi i Oficerëve. Aty, më 1 shtator 1928 Ahmet Zogu shpalli monarkinë.

Qendra e Tiranës është projektuar nga arkitektët të njohur italianë të periudhës musoliniane Florestano de Fausto dhe Armando Brasini. Pallati i Brigadave (ish-pallati mbretëror), godinat e Ministrive, Banka Kombëtare dhe Bashkia janë vepra të tyre.

Bulevardi «Dëshmorët e Kombit» është ndërtuar në vitin 1930 me emrin Bulevardi Zogu I. Në periudhën e komunizmit pjesa nga Sheshi Skënderbej deri tek Stacioni i trenit u quajt Bulevardi Stalin.

Pallati i Kulturës, ku ndodhet Teatri i Operas dhe Baletit dhe Biblioteka Kombëtare, u përfundua më 1963. Ai u ndërtua mbi ish-pazarin e vjetër të Tiranës dhe tulla e parë u vendos nga Hrushovi më 1959.

Monumenti i Skënderbeut i ngritur më 1968, është vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paço. Ai u vendos me rastin e 500 vjetorit te vdekjes së heroit kombëtar

Monumenti Nëna Shqipëri, 12 m i lartë, u përurua në varrezat « Dëshmorët e Kombit » më 1971.

Akademia e Shkencave u përfundua më prill 1972.

Galeria e Arteve Figurative u krijua më 1976 dhe në të përfshihen rreth 3200 vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

Muzeu Historik Kombëtar u ndërtua më 1981 dhe mozaiku në ballë të tij titullohet «Shqipëria».

Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, ish-muzeu Enver Hoxha u përurua më 1988. «Piramida» u projektua nga një grup arkitektësh nën drejtimin e Pranvera Hoxhës dhe Klement Kolanecit.

Ne shek. XVII, Tirana kishte reth 4000 banorë. Në vitin 1920 – 17.000 banorë. 1938 – 25.000 banorë.1945 – 40.000 banorë. 1990 – 250.000 banorë. Aktualisht, dyndja masive e banorëve nga gjithë pjesët e tjera të vendit drejt Metropolit, e ka çuar popullsinë e Tiranës mbi 700.000 banorë.

Discussion about this post

Related Posts