SPECIALE/ Fundjavë në Prizren, ‘kryeqytetin kulturor’ të Kosovës! Njohje me historinë, krojet e legjendave dhe realiteteve shqiptare - Shqiptarja.com

SPECIALE/ Fundjavë në Prizren, ‘kryeqytetin kulturor’ të Kosovës! Njohje me historinë, krojet e legjendave dhe realiteteve shqiptare

Ndër shekuj njihet si qytet i kulturës dhe i traditës. Ky është Prizreni që ka bërë kuriozë udhëpërshkrues, historianë, gjeografë e shkencëtarë të ndryshëm, të cilët botuan shumë vepra për këtë trevë.

Kjo urë lidhëse mes dy shteteve shqiptare është edhe një destinacion i afërt turistik për Shqipërinë.

E gjithë komuna e Prizrenit është vetëm 640 km2 por me shumë vende të vizitueshme.

KALAJA E PRIZRENIT

Një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë e gjejmë në Kalanë e Prizrenit e cila konsiderohet simbol i qytetit.

Pozicioni i saj topografik, dominues mbi qytetin, peizazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar mjaft mirë, e bëjnë këtë lokalitet me vlera, shkencore, historike dhe turistike. Është e vendosur 525 metra mbi nivelin e detit në pjesën lindore të qytetit mbi një kodër në formë konike. Data e saktë e ndërtimit të Kalasë nuk është e njohur. Megjithatë, besohet se daton nga shekulli VI. Përgjatë viteve ajo ka qenë përdorur për banim por edhe për qëllime ushtarake.  Një karakteristikë e Kalasë është tuneli prej 42 shkallësh që ndodhet në anën lindore dhe është i lidhur me lumin Lumbardh të Prizrenit.

Një shëtitje në historinë e hershme të Prizrenit e mundëson Muzeu Arkeologjik.

MUZEU ARKEOLOGJIK

Muzeu arkeologjik në Kalanë e Prizrenit është më i vjetri në Kosovë. Aty ruhen artefakteve që datojnë nga viti 6500 Para Lindjes së Krishtit. Po kaq me qindra artefakte janë marrë nga Serbia në vitin 1999 dhe sot e kësaj dite nuk i kanë kthyer Kosovës.

Muzeu ku gjendet artefaktet e veçanta është hapur në vitin 1975 dhe ndodhet në ambientet e Hamamit të Shemsedin Ahmet Beut dhe të Sahat Kullës. Vesel Hoxha, drejtor i muzeut tregon se ndërtesa është monument kulture dhe i përket shekullit te XV. Të gjitha artefaktet që gjenden ne muze janë zbuluar gjatë gërmimeve arekeologjike nga viti 1969 deri në vitin 2010 kryesisht në Rahovec, Suharekë, Malishevë dhe Vlashnjë. Muzeu Arkeologjik i Prizrenit është i vizitueshëm përgjatë gjithë vitit ndërsa prej fillimit të këtij viti mund të eksplorohet edhe në mënyrë virtuale.

Kushdo që mbërrin në Prizren do të shëtisë në sheshin Shadervan që është një prej vendeve më të frekuentuara në Prizren. Ky shesh është e rrethuar nga restorante tradicionale dhe dyqane që shesin produkte të ndryshme artizanale.

Duke qenë se lumi kalon mes për mes Prizrenit, përgjatë historisë janë ndërtuar shumë ura. Megjithatë, më e veçanta është Ura e Gurit.

URA E GURIT

Ura lidh drejtpërsëdrejti sheshin Shatërvan (në anën e majtë të lumit) dhe Saraçhanën (në të djathtë të lumit). Burimet historike nuk ofrojnë të dhëna për kohën e saktë të ndërtimit të saj. Në bazë të materialit, stilit, teknikës së ndërtimit, supozohet se ura është ndërtuar nga Ali Kukaj nga fundi i shekullit XV, ose në fillim të shekullit XVI. Ajo pësoi dëme serioze strukturale gjatë ndërtimit të shtratit të Lumbardhit, në vitet '60. Urës rreziku më i madh i erdhi nga faktorët natyrorë. Vërshimi i lumit më 17/18 nëntor të vitit 1979 shkaktoi rrënimin e urës në tërësi. Prizrenasit të mallëngjyer për shkatërrimin e urës u mobilizuan dhe sipas projektit të hartuar nga M. Gojkoviq, ing., fillojnë punimet për rindërtimin e saj. Ura e rindërtuar solemnisht u përurua më 17 nëntor 1982 dhe vazhdon ta kryejë funksionin e urës për këmbësorë. Duke marrë në konsideratë vlerat e mirëfillta të trashëgimisë, Ura e Gurit në 31 dhjetor 1948 vihet nën mbrojtje të shtetit. Sot është një pikë e rëndësishme për vizitorët vendas e të huaj.

Gjatë gjithë kohës do të shoqëroheni nga rrjedha e lumit Bistrica (Lumëbardhi), që i jep zemrës së Prizrenit një pamje mjaft të veçantë.

Duke shëtitur në këtë zonë do të njiheni me kultura të ndryshme.

Çarshia e vjetër, e ndërtuar rreth shek. XV, e shtruar me kalldrëm e me rrugica të ngushta.

KISHA SHËN PREMTE

Në mesin e objekteve fetare në zonën historike, është dhe KISHA E SHËN PREMTËS, me prejardhje Bizantine. Sipas shkencëtarëve, supozohet se themelet e kishës, vihen mbi themelet e tempullit Pagan – Ilir (para erës sonë).  Me pushtimin e trojeve shqiptare nga, Perandoria Osmane në vitin 1455-1459, dhe rënia e Prizrenit nën këtë Perandori, nga objekti kishtarë u shndërrua në xhami. Ky emërtim njihet edhe sot e kësaj dite në popull. Është i vetmi objekt fetarë në Prizren, që u bë pjesë e UNESCO-s në vitin 2006.

Ndikimin e arkitekturës otomane, e vë re në xhaminë e Sinan Pashës dhe objekteve të tjera.

KROI I SHATËRVANIT

Në qendrën historike të Prizrenit gjendet Kroi i Shatërvanit dhe mendohet se është më i vjetri në qytet. Vesel Hoxha nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit tregon për Report Tv se Shatërvani është ndërtuar në shek.XV.

Sipas legjendës, kush pi ujë në këtë krua “vjen përsëri në Prizren, ose martohet në Prizren”.

Kroi i Shatërvanit ndodhet në mes të sheshit me të njëjtin emër dhe është njëri prej simboleve të qytetit të Prizrenit. Qytetarë nga Shqipëria që vizitojnë qytetin e Prizrenit thonë se nuk e quajmë se kemi vizituar Prizrenin pa pirë ujë të freskët në Kroin e Shatërvanit.

Në Prizren, aktualisht janë 25 kroje, shumica prej tyre në gjendje të rregullt ndërsa një pjesë e tyre janë shkatërruar.

KROI I GOROZHUPIT OSE KROI I LOTIT

Kroi i Gorozhupit, njohur si Kroi Lotit ndodhet në territorin e Prizrenit, në kufirin verlindor mes Shqipërisë dhe Kosovës.  Për të mbërritur tek ky krua duhet të udhëtosh me fuoristradë në një rrugë rurale rreth 40 km nga Kukës në Has, e më tej 30 minuta në këmbë, shoqëruar nga banorët e zonës. Kroi i Gorozhupit, ka një histori të veçantë. Në këtë burim ujor që rrjedh nga mali, hasjanët e ndarë në dy shtete, mbushnin ujë dhe çmalleshin me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për vitet 1948-1989, kur Shqipëria Komuniste prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe hasjanët ishin të detyruar të mbushnin ujë në praninë e forcave ushtarake kufitare, ndaj e emërtuan “Kroi i Lotit” apo “Vajtimit”. Me rënien e diktaturës në Shqipëri dhe më pas çlirimin e Kosovës, ky krua u shndërrua në atraksion turistik për banorët e zonave kufitare dhe turistët e huaj.

KOMPLEKSI MONUMENTAL I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Emri i Prizrenit është i pandashëm me kuvendin që u mblodh në 10 qershor 1878 për të diskutuar programin për bashkimin e shqiptarëve në mbrojtje të vendit kundër kërcënimeve të jashtme. Ndërtesa në fjalë tani është një muze dhe si i tillë bënë pjesë në kuadër të Kompleksit monumental të Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Aty janë ekspozuar fotografi, dokumente, objekte dhe veshje që datojnë që nga koha e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit.

Në kohën e Luftës Çlirimtare të Kosovës (1997 - 1999) Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit është shkatërruar me granatahedhëse nga policia serbe më 27 Mars 1999 dhe zhduku dokumentacionin historik. Përgjegjësi i shtëpisë muze, Parim Kosova thotë se ende sot nuk ka asnjë të dënuar nga Haga për krime lufte. Pas Luftës në Kosovë është rindërtuar Lidhjes së Prizrenit, ndërsa muzeu është pasuruar me dokumente të riprodhuara.

KULINARIA

Në tryezat e lokaleve e bujtinave dominon menyja tradicionale.

Prizreni është i njohur për përgatitjet nga brumi: pogaqa, toplia, pitja apo të famshmet pitajka me vezë. Gjellët tradicionale të Prizrenit përbëjnë esencën e kuzhinës prizrenase. Qervish me qofte, Speca me gjizë, tavë Prizreni, dollma, musaka, sarma, pasul, gullash, burjan me mish, janë gjellët më të njohura. Gjithashtu, Prizreni shërben edhe ëmbëlsira në mesin e të cilëve, sheqerpare, tespishte, bakllava, sutliash, tullumba dhe hallva janë ndër më të preferuarat.

Të gjitha këto janë lehtësisht të aksesueshme brenda një apo dy ditëve. Prandaj edhe fundjavat e gjejnë plot Prizrenin me shqiptarë të Kosovës e Shqipërisë.

M.Q./S.Ç/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 12/05/2024 01:21

    Kur flitet per Prizrenin nuk mund te lesh pa permendur dhe nje nga kenget me te famshme e me te bukura /Me tren per ne Prizren/.Ka kapur shpirtin e Prizrenit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet parlamentare 2025, sipas jush si duhet të votojë diaspora?



×

Lajmi i fundit

Debati i Dumanit me Nokën te ‘Ligjet’, ish-prokurorja: S’mund të intimidohet prokuroria me dyshime për dekonspirim

Debati i Dumanit me Nokën te ‘Ligjet’, ish-prokurorja: S’mund të intimidohet prokuroria me dyshime për dekonspirim