Seferi protagonist në Arabi, formë e mirë para Europianit - Top Channel

Seferi protagonist në Arabi, formë e mirë para Europianit

10/05/2024 22:09

Taulant Seferi vijon të shfaqet protagonist me ekipin e Bani Yas në Emiratet e Bashkuara Arabe. 27-vjeçari regjistroi asistin numër 4 sezonal në takimin në shtëpi përballë Al Sharjah.

Pavarësisht se skuadra e tij u mposht me shifrat 2-3, futbollisti i kombëtares shqiptare prodhoi një moment të rëndësishëm në minutën e 53’. Seferi, i cili ndodhej në limitet e zonës së 16-metrave shërbeu për Alvarez, i cili goditi fort në mënyrë të menjëhershme për të ndalur topin në trekëndëshin e portës.

Ekipi Bani Yas i Taulant Seferit nuk arriti të barazonte deri në fundin e takimit, teksa mbeten në vendin e 10-të në tabelën e klasifikimit me 22 pikë. Seferi ka pasur një sezon mjaft produktiv në aspektin personal teksa në 21 ndeshje të luajtura ka realizuar 9 gola dhe ka dhuruar 4 asiste.

Forma e mirë e sulmuesit është një lajm goxha i mirë edhe për kombëtaren kuqezi më në krye trajnerin Sylvinho, që shpreson ta ketë organikën në formë sa më të mirë për Euro 2024.

Taulant Seferi luajti një rol kyç në rrugëtimin kualifikues të Shqipërisë drejt Europianit, ku shënoi edhe dy gola në 7 ndeshjet që u aktivizua./ Super Sport

Top Channel